Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë juglindjen e vendit kanë rikthyer sërish situatën problematike në tregun industrial të Pogradecit, ku uji depërton brenda godinës sa herë bie shi apo dëborë. Për pasojë, tregtarët përballen çdo sezon me dëmtime të konsiderueshme të mallrave të tyre.
Që në orët e para të mëngjesit, tregtarët janë përpjekur të minimizojnë dëmet duke hapur tregun me kova dhe lecka në duar, por reshjet intensive kanë bërë që një pjesë e madhe e produkteve të laget dhe të rrezikojë të dëmtohet. Ata shprehen se prej vitesh ndeshen me të njëjtin problem, pa asnjë zgjidhje të qëndrueshme.
Sipas tyre, pavarësisht premtimeve të shumta nga bashkia për ndërtimin e një tregu të ri, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret. Tregtarët i bëjnë apel pushtetit vendor të ndërhyjë urgjentisht, pasi situata u shkakton humbje të vazhdueshme dhe i ka vënë në një gjendje të vështirë ekonomike.