Një 58-vjeçar grek ka humbur jetën në Neo Kosmo të Athinës, pas një ngjarjeje që fillimisht u konsiderua aksident rrugor. Viktima ndërroi jetë pasi humbi kontrollin e automjetit, por ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi shenja dhune fizike, duke ngritur dyshime për rrethana të tjera të vdekjes.
Hetimet e policisë, të mbështetura në pamjet e kamerave të sigurisë, treguan se para aksidentit 58-vjeçari kishte debatuar me drejtuesin e një motorri. Sipas autoriteteve, drejtuesi i motorrit e ka ndjekur më pas dhe dyshohet se e ka dhunuar fizikisht.
Nga pamjet është identifikuar si i dyshuar shtetasi shqiptar Igli Shano, 29 vjeç, nga Bilishti, i cili është arrestuar nga policia greke. Në pranga ka përfunduar edhe babai i tij, Mondi Shano, i akuzuar për tentativë për të fshehur motorin që përdorte i biri.
Ngjarja po vijon të hetohet nga autoritetet greke për të zbardhur të gjitha rrethanat e saj.