Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin nga qelia të dy të arrestuarit për shpërthimin me tritol në lokalin “Perla e Detit” në Kamëz, Jeton Lamin dhe Florin Domin. Për Jeton Lamin, ish-polic dhe ish-shoqërues i Ervis Martinajt, masa “arrest me burg” është zëvendësuar me “arrest shtëpie”, ndërsa për Florin Domin është vendosur masa “detyrim paraqitje” me garanci pasurore.
Ndërkohë, për të arrestuarin e tretë, Flogert Mezhikën, gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën më të rëndë “arrest me burg”. Ky vendim lidhet me hetimet për shpërthimin që ndodhi pak ditë më parë në Kamëz, ku dyshohet se lënda plasëse u vendos për shkak të një tentative për gjobë prej 500 mijë eurosh ndaj pronarit të lokalit.
Hetimet e prokurorisë së Tiranës vazhdojnë për të zbuluar rolin e secilit të dyshuar dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në tentativën për gjobëvënie dhe shpërthimin me tritol. Në kërkim për momentin është shpallur Ervis Lami, i cili dyshohet të ketë lidhje me ngjarjen.