Shtetasi shqiptar Kamber Duhanxhiu, 44 vjeç, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 1999 për vrasje në tentativë dhe vrasje në rrethana cilësuese në Asti, Itali, është deportuar nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri. Duhanxhiu ishte arrestuar më parë këtë vit në Florida nga autoritetet amerikane dhe, pas koordinimit ndërkombëtar mes agjencive ligjzbatuese në SHBA, Shqipëri dhe Itali, u dërgua me fluturim çarter në Tiranë më 19 nëntor 2025.
Sapo mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”, ai u arrestua menjëherë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, në bazë të urdhrit të arrestit ndërkombëtar dhe kartelës së kuqe të Interpolit, të lëshuar nga autoritetet italiane. Duhanxhiu do të përballet me dënimin e tij 30-vjeçar për veprat penale të kryera në vitin 1999. Policia e Shtetit vlerëson operacionin si një tjetër sukses në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet agjencive ligjzbatuese.