Sali Berisha pritet të paraqitet sot në orën 09:00 në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të dhënë dëshminë e tij në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues. Paraqitja e tij vjen pas dy fletëthirrjeve të mëparshme, të cilave ish-kryeministri nuk iu përgjigj, ndërsa thirrja e tretë iu dorëzua drejtpërdrejt gjatë vizitës së tij në SPAK për çështjen “Partizani”. Berisha deklaroi të martën se do të jetë i pranishëm, ndërsa në rast mosparaqitjeje, SPAK ka të drejtë të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm.
Hetimet për 21 janarin janë rihapur pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila në mars 2024, duke iu referuar edhe vendimit të Strasburgut, detyroi SPAK-un të trajtojë ngjarjen si krim shtetëror. Prokuroria po heton rolin dhe përgjegjësitë e drejtuesve të lartë të kohës, përfshirë Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin, në lidhje me vrasjen e protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Vetëm dy efektivë të Gardës, Prendi dhe Agim Llupo, u dënuan më herët nga drejtësia e zakonshme, dhe tashmë janë të lirë.
Ngjarja e 21 janarit mbetet një nga momentet më të errëta të tranzicionit politik shqiptar. Katër protestues Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika humbën jetën pas të shtënave me armë nga Garda e Republikës gjatë demonstratës së organizuar nga opozita socialiste kundër qeverisë së atëhershme të Sali Berishës. Edhe pse disa efektivë të Gardës u dënuan për neglizhencë, autorët e vrasjeve nuk janë identifikuar plotësisht as sot e kësaj dite.
SPAK e ka regjistruar çështjen si procedim penal në korrik 2024, me tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të dyshuara të kryera në bashkëpunim. Dëshmia e Berishës vjen pas asaj të ish-ministrit të Brendshëm të kohës, Lulzim Basha, ndërsa familjarët e viktimave, veçanërisht ata të Aleks Nikës, kanë këmbëngulur për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësve të nivelit të lartë.