Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë natës ndërtesën e njohur “Kulla Vjesnik”, e quajtur ndryshe edhe “Kulla e Çokollatës”, në qendër të Zagrebit. Flakët shpërthyen pranë majës së godinës 16-katëshe dhe u përhapën me shpejtësi, duke e shkrumbuar pothuajse të gjithë strukturën. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima.
Sipas mediave kroate, rreth 100 zjarrfikës u angazhuan në operacionet e fikjes, por përhapja e shpejtë e zjarrit i pengoi ata të depërtonin në pjesët e sipërme të ndërtesës. Edhe pse flakët u shuan gjatë së martës, konstruksioni prej metali dhe betoni vijonte të digjej, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e mëtejshme.
Kulla Vjesnik, një simbol i arkitekturës moderne të Zagrebit dhe e modeluar sipas ndërtesës Lever House në Manhattan, ka qenë prej vitesh pothuajse e boshatisur. Në të kaluarën, aty funksiononin redaksitë e gazetave dhe revistave më të njohura kroate, por botimet u zhvendosën rreth 12 vite më parë dhe ndërtesa mbeti kryesisht e pashfrytëzuar.
Zëvendëskryeministri i Kroacisë dhe ministri i Ndërtimit, Branko Baçiç, konfirmoi se në disa prej kateve ruheshin arkiva shtetërore, përfshirë dokumente të Ministrisë së Punës dhe autoritetit tatimor. Ai theksoi se pjesa më e madhe e katëve ishte bosh dhe pa materiale të tjera të rrezikshme.
Pas inspektimit të vendngjarjes, autoritetet deklaruan se dëmi në ndërtesë është i madh. Baçiç bëri të ditur se qeveria, e cila është bashkëpronare e godinës së bashku me pesë subjekte të tjera, ka nisur bisedimet për një projekt të ri rindërtimi.
Edhe kryebashkiaku i Zagrebit, Tomislav Tomašević, konfirmoi se ndërtesa ishte prej kohësh në listën e objekteve që kërkonin rikonstruksion të thellë. Sipas tij, rindërtimi i kullës në këtë zonë të rëndësishme të qytetit duhet të nisë sa më shpejt.
Rreth 80 zjarrfikës mbetën të angazhuar deri pasditen e së martës. Shkaku i zjarrit është ende i paqartë ndërkohë që hetimet pritet të zgjasin disa ditë