Universitetet publike në Shqipëri po përballen me një krizë të thellë integriteti akademik ku korrupsioni është bërë pjesë e përditshmërisë dhe studentët jetojnë nën presion të vazhdueshëm.
Sipas raportit të Qëndresës Qytetare, i cili bazohet në anketimin e 750 studentëve nga 8 universitete publike, 89.98 % e studentëve pranojnë ekzistencën e korrupsionit ndërsa 44 % e konsiderojnë universitetin ku studiojnë tërësisht të korruptuar dhe 9.61 % pranojnë se kanë paguar për të marrë një notë më të mirë. Hetimet e prokurorive dhe të SPAK për periudhën 2021–2025 tregojnë se 50 pedagogë janë nën hetim për ryshfet, shantazh dhe shpërdorim detyre, ndërkohë që Shkodra mban rekordin me 13 pedagogë të përfshirë në hetime dhe Elbasani ka 9 raste të hapura disa prej të cilave drejt SPAK.
Në Universitetin Bujqësor të Tiranës SPAK ka përfunduar hetimet për 27 zyrtarë të stafit akademik dhe administrativ për procedura të dyshuara korruptive dhe studentët raportojnë se pagesa për nota dhe detyrimi për të blerë libra nga pedagogët janë format më të përhapura të korrupsionit ndërsa 59.62 % e studentëve të Universitetit Bujqësor besojnë se nota blihet.
Një pjesë e studentëve janë përballur me presion të drejtpërdrejtë për të paguar ndërsa një tjetër pjesë e konsiderueshme shprehin frikë të denoncojnë, situata e rëndohet nga fakti se shumë mësues nuk zotërojnë lëndën që japin dhe reagimi institucional është minimal pasi Këshillat e Etikës kanë trajtuar vetëm 16 çështje në katër vite dhe universitetet e Elbasanit, Shkodrës dhe Korçës nuk kanë raportuar asnjë rast ndonëse prokuroritë kanë hetime aktive.
Raporti evidenton gjithashtu rikthimin e ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve të rrëzuar nga procesi i Vetingut në auditorët e universiteteve publike dhe private të cilët kanë probleme me pasurinë, konflikt interesi dhe dyshime të tjera serioze dhe studentët tregojnë se 43.87 % dëshirojnë Veting akademik duke reflektuar humbjen e besimit tek universitetet publike.
Mungesa e transparencës dhe mekanizmave efektivë të raportimit bëjnë që 44.29 % e studentëve të mësojnë për korrupsionin përmes kanaleve informale dhe universitetet nuk përdorin sisteme efektive anti-plagjiaturë pasi 69.84% e studentëve të Universitetit të Tiranës besojnë se plagjiatura është e përhapur tek stafi akademik.
Studentët kërkojnë platforma anonime për denoncime, kontrolle të rrepta të plagjiaturës, transparencë në punësimet akademike dhe ndalim të rikthimit në auditorë të personave të rrëzuar nga drejtësia pasi universitetet po humbasin funksionin e tyre si institucione të dijes dhe po kthehen në mjedise ku nota, karriera akademike dhe morali publik rregullohen nga ryshfeti dhe lidhjet personale.