Mafia shqiptare dyshohet për planifikim atentati ndaj prokurorit të Brukselit, 8 të arrestuar

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 18.11.2025, 19:33

Një operacion policor në Belgjikë ka çuar në arrestimin e tetë personave, të dyshuar për planifikimin e një atentati ndaj Prokurorit Publik të Brukselit, Julien Moinil. Sipas autoriteteve belge, grupi që dyshohet se qëndron pas këtij komploti përbëhet nga individë me origjinë shqiptare, të lidhur me rrjete kriminale që veprojnë prej vitesh në kryeqytetin belg.

Zyra e Prokurorit Publik Federal bëri me dije se arrestimet u kryen pas një hetimi të nisur në korrik 2025, kur autoritetet u informuan për një komplot të mundshëm kundër prokurorit Moinil. Hetimi çoi në 18 kontrolle policore në zona të ndryshme të Belgjikës, kryesisht në Bruksel dhe Leuven.

Të arrestuarit po merren aktualisht në pyetje, ndërsa një gjyqtar hetues pritet të vendosë nëse ata do të qëndrojnë në paraburgim. Sipas informacioneve paraprake, shumica e të dyshuarve kanë precedent penal për trafik të organizuar droge dhe dyshohet se janë pjesë aktive të bandave shqiptare që veprojnë në Belgjikë dhe vende të tjera të Evropës.

Hetimi është udhëhequr nga Policia Federale Gjyqësore e Brukselit, ndërsa disa magjistratë të Zyrës së Prokurorit Federal kanë mbikëqyrur çështjen nga afër. Aktualisht, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota për komplotin, duke theksuar se në këtë fazë nuk mund të konfirmojnë plotësisht as të përgënjeshtrojnë objektivin final të grupit kriminal.

Prokurorja Federale Ann Fransen reagoi me tone të forta, duke theksuar rrezikun në rritje me të cilin përballen çdo ditë funksionarë të drejtësisë luftojnë krimin e organizuar.

“Ky hetim tregon edhe një herë sa e domosdoshme është të forcohet mbrojtja e oficerëve të policisë dhe trupit gjykues. Ata punojnë çdo ditë kundër grupeve kriminale të rrezikshme, dhe për këtë arsye shpesh bëhen shënjestra,” tha Fransen në një deklaratë zyrtare.

Ajo konfirmoi se është ngritur një grup pune i posaçëm për të përgatitur propozime ligjore që synojnë rritjen e sigurisë së punonjësve të drejtësisë dhe policisë në Belgjikë. Ndërkohë, hetimet për rastin vijojnë intensivisht

*Foto e përdorur në këtë artikull është vetëm ilustruese dhe nuk lidhet direkt me ngjarjen *

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit