Gjykata e Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka marrë sot një vendim që trondit opinionin publik dhe vë seriozisht në pikëpyetje integritetin moral të sistemit tonë gjyqësor: uljen e dënimit për Aksel Hoxhën, autorin e vrasjes së 20-vjeçarit Stiven Toshkëzi në vitin 2022.
Pavarësisht se Hoxha u shpall fajtor për “vrasje në rrethana cilësuese”, një prej veprave më të rënda në Kodin Penal, Apeli zgjodhi t’i lehtësojë barrën penale, duke e ulur dënimin nga 18 në vetëm 12 vite burg, nëpërmjet gjykimit të shkurtuar. Ky vendim, i cili vjen në kundërshtim flagrant me natyrën brutale të krimit, ngjan më shumë me një akt dorëzimi institucional sesa me zbatim të drejtësisë.
Reagimi i familjarëve të viktimës, që shpërthyen në revoltë në sallë, është vetëm pasqyra më e drejtpërdrejtë e padrejtësisë së perceptuar gjerësisht. Stiven Toshkëzi, një djalë i ri që po kthehej nga puna, ra pre e një prite të organizuar për një konflikt absurd rreth një vajze. Goditja e dhunshme që mori nga Aksel Hoxha rezultoi fatale duke i shkkatuar vdekjen.
Megjithatë, edhe përballë një akti të tillë të paramenduar dhe mizor, gjykata zgjedh rrugën e lehtësimit. Ky lloj vendimi nuk është thjesht një gabim juridik: është një mesazh i rrezikshëm se jeta e një të riu mund të vlerësohet me një dënim të zbutur, për hir të procedurave.