Ndërsa reshjet e ditë së sotme kanë goditur rëndë Shqipërinë, duket se veriu e ka pësuar më keq se kushdo. Disa qytete janë nën ujë, rrugë të bllokuara, familje të izoluara, një tablo e njohur që, fatkeqësisht, përsëritet sa herë qielli hap rubinetat. Por këtë herë, natyra nuk ka ardhur vetëm; në Kurbin ka marrë me vete edhe dritat. Që nga ora 5 e mëngjesit, qytetarët janë lënë në errësirë totale, sikur të mos mjaftonin përmbytjet.
Ndoshta kjo do të ishte më pak absurde, nëse një ditë më parë ministrja Belinda Balluku nuk do të deklaronte plot vendosmëri se “të gjitha masat janë marrë që të mos ketë shkëputje të energjisë”. Mesa duket, masat kanë qenë aq të forta, sa energjia është trembur vetë dhe ka ikur nga frika.
Në Kurbin, njerëzit po përpiqen të shpëtojnë banesat nga uji me një dorë dhe të gjejnë dritë me dorën tjetër , qiri, bateri, telefona në 5%, ndërkohë që deklaratat zyrtare duken sikur flasin për një realitet paralel, një Shqipëri alternative ku gjithçka funksionon, përveç logjikës.
Dhe në këtë panoramë të zymtë, ironia e vetme që mbetet është ajo e premtimeve boshe që duken më të qëndrueshme se rrjeti elektrik. Sepse, për çudi, ato nuk shkëputen kurrë.