Meteorologia Tanja Porja, ka paralajmëruar një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike në të gjithë territorin e vendit, duke e cilësuar situatën si “mjaft kritike” dhe shumë dinamike.
Porja ka njoftuar se gjatë ditës së sotme priten reshje intensive, stuhi dhe erëra të forta, ndërsa zonat më të goditura do të jenë ato veriore dhe qendrore. Sipas saj, rrebeshet më të dendura do të zhvendosen drejt jugut gjatë mbrëmjes së sotme dhe ditës së nesërme.
“Reshje me intensitet të lartë priten kryesisht në veri, ndërsa reshje me intensitet mesatar në të gjithë territorin. Era e fortë jugore dhe stuhitë detare nuk do të mungojnë. Në mesditë përkeqësohet situata në të gjithë vendin, ndërsa në mbrëmje reshjet marrin intensitet të lartë në të gjitha zonat”, u shpreh meteorologia.
Ajo u bëri apel qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, duke theksuar se kushtet atmosferike do të shoqërohen me stuhi të fuqishme dhe shkarkesa elektrike.
“Do të ishte mirë që lëvizjet pa arsye të mos kryhen. Do të kemi reshje intensive, erë të fortë dhe rrufe”, tha Porja.
Ndërkohë, temperaturat pritet të pësojnë ulje gjatë mesditës, me një rënie prej të paktën dy gradësh. “Berati dhe Gjiri i Sarandës do të kenë temperatura deri në 21°C”, shtoi ajo.
Meteorologia paralajmëroi gjithashtu se fundjava do të shoqërohet edhe me reshje dëbore në disa zona të vendit.