Francesk Shkambi u fal nga Joe Biden, ishte dënuar me 27 vjet burg si kreu i një grupi kriminal

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.11.2025, 00:46

Zbardhen të reja rreth vrasjes së 44-vjeçarit shqiptar Francesk Shkambi në SHBA, i cili u qëllua për vdekje mbrëmjen e së dielës në Commerce Township, Michigan. Sipas të dhënave publike, ai ishte i afërm i Elvis Shkambit, të akuzuarit për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë. Ai gjithashtu pak javë më parë kishte hapur një fushatë GoFundMe për mbledhjen e fondeve në ndihmë të Elvis dhe Gjon Shkambit.

Mësohet se Francesk Shkambi ishte ndër personat që përfituan nga faljet dhe uljet e dënimeve të firmosura nga Presidenti amerikan Joe Biden pak para lënies së mandatit. Mediat amerikane raportuan se Biden nënshkroi falje ose ulje dënimesh për rreth 1500 persona, mes tyre edhe individë të dënuar për vepra lidhur me narkotikët, në kuadër të një programi për rishikimin e dënimeve të ashpra.

Dokumentet publike tregojnë se Shkambi ishte dënuar në vitin 2014 me 27 vite burg, i akuzuar për drejtimin e një grupi që kontrabandonte lëndë narkotike drejt SHBA-ve. Përfshirja e tij në listën e faljes asokohe u shoqërua me debat në disa media amerikane, raporton JOQ Albania.

Vrasja mbrëmjen e së dielës

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:30 të së dielës, sipas orës lokale të Michiganit, në verandën e restorantit Prime 7, ku 44-vjeçari punonte si menaxher dhe bashkëpronar.

Sipas autoriteteve amerikane, viktima u gjet i plagosur rëndë në verandën e lokalit dhe u transportua menjëherë në spital, por ndërroi jetë pak më vonë. Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u paraqit vetë në polici dhe u arrestua pa rezistencë, ndërsa hetuesit sekuestruan edhe një pistoletë 9 mm, e cila rezultonte e vjedhur më herët.

Zyrtarët thanë se viktima dhe autori njiheshin prej kohësh dhe mes tyre kishte pasur një konflikt të mëparshëm, megjithatë motivi i saktë mbetet ende i paqartë.

Lidhja me Elvis Shkambin dhe fushata GoFundMe

Pak javë para vrasjes, Francesk Shkambi kishte hapur një fushatë GoFundMe për mbledhjen e fondeve për mbrojtjen ligjore të Elvis dhe Gjon Shkambit, ku prezantohej si familjar i tyre. Fushata kishte arritur të grumbullonte mbi 8000 dollarë.

Të afërm dhe kolegë të tij e kanë përshkruar Francesk Shkambin si person të qetë dhe të përkushtuar. Komuniteti lokal është tronditur nga ngjarja, ndërsa restoranti Prime 7 njoftoi mbylljen e aktivitetit pas vrasjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit