Si nëpër filma/ Shqiptari i ‘çmendur’ aksidenton karabinierët gjatë ndjekjes, kapet me kokainë dhe para cash

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 17.11.2025, 22:15

Një ndjekje si nëpër filma e ndodhur gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës në aksin E45 ka përfunduar me arrestimin e një 32-vjeçari shqiptar, i cili drejtonte mjetin nën efektin e drogës dhe me sasi kokainë në automjet. Operacioni u krye nga karabinierët e Perugias, në bashkëpunim me stacionin e Ponte San Giovanni dhe repartin radiomobil të Città di Castello. Gjatë ndërhyrjes, dy efektivë pësuan lëndime të lehta.

Sipas të dhënave të para, pak pas mesnatës, drejtuesi i automjetit, pa vendbanim të përhershëm dhe i njohur më parë për vepra të ngjashme, nuk iu bind urdhrit “Ndal” të karabinierëve pranë daljes së Città di Castello duke shtuar shpejtësinë dhe u largua në drejtim të Perugias.

Patrullat e tjera e lokalizuan automjetin brenda qytetit, ku 32-vjeçari kreu manovra të rrezikshme që vunë në rrezik jetën e qytetarëve. Gjatë tentativës për arratisje, ai goditi dy mjete të karabinierëve, por vazhdoi të ikte deri sa humbi kontrollin dhe doli nga rruga. Në përpjekje për të ikur në këmbë, u kap dhe u neutralizua nga efektivët.

Gjatë kontrollit të tij dhe të automjetit, forcat e rendit gjetën 21 gramë kokainë dhe 8.500 euro para të gatshme, të dyshuara si përfitime nga aktiviteti i shpërndarjes së drogës. Automjeti u sekuestrua, ndërsa i arrestuari, i cili kishte pësuar lëndime të lehta, rezultoi pozitiv në testet toksikologjike.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër ndalimi nga Prokuroria e Forlìs, pasi më 7 nëntor ishte përfshirë në një episod identik në zonën e Fanos, ku arriti të arratisej pasi shkaktoi disa aksidente me pasoja të rënda për qytetarë të ndryshëm.

32-vjeçari akuzohet për, posedim droge me qëllim shpërndarjeje, rezistencë ndaj punonjësve të rendit, lëndime personale, shkelje të ndalimit të hyrjes në territorin italian dhe drejtim mjeti nën efektin e drogës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit