Tenderi i KQZ: Oferta më e shtrenjtë i jep fitoren Vilma Nushit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.11.2025, 21:27

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i drejtuar nga Ilirjan Celibashi, ka zhvilluar tenderin me objekt “Mallra në kuadër të fushatës edukuese”, me numër reference REF-60867-09-10-2025. Fitues është shpallur kompania Marketing & Distribution, në pronësi të Vilma Nushit dhe familjarëve të saj.

Tenderi ka pasur një fond limit prej 24,820,100 lekësh pa TVSH (rreth 297 milionë lekë të vjetra me TVSH), ndërsa oferta fituese ka qenë 23,815,200 lekë pa TVSH, që përbën rreth 96% të fondit limit. Një përqindje kaq e lartë është shpesh tregues i mungesës së konkurrencës reale ose i një gare të orientuar.

Sipas hulumtimeve të JOQ Albania, në këtë tender kanë marrë pjesë katër kompani, por të gjitha ofertat më të ulëta janë skualifikuar, duke lënë në garë vetëm kompaninë e Nushit, e cila kishte ofertën më të lartë ndër të katërta. Skualifikimi masiv i operatorëve më të lirë është një praktikë e njohur në tendera ku dyshohet për manipulim të garës.

Në vend që të zgjidhej oferta më e leverdishme për buxhetin e shtetit, tenderi i është dhënë kompanisë që ofroi koston më të madhe, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën e procedurës dhe arsyetimin e KQZ-së.

Fakti që Marketing & Distribution është ndër kompanitë që prej vitesh përfiton kontrata të mëdha publike e bën edhe më të fortë dyshimin se tenderi mund të ketë qenë i orientuar. Përzgjedhja e ofertës më të shtrenjtë, eliminimi i konkurrencës dhe raporti i lartë me fondin limit krijojnë së bashku një panoramë që kërkon verifikim të thelluar nga institucionet mbikëqyrëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit