Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një video shqetësuese, e cila sipas qytetarit që e ka dërguar, tregon një punonjës policie teksa ushtron dhunë ndaj një të mituri brenda në mjetin e tij.
Sipas denoncuesit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës, në zonën e njohur si 'Truma'.
Videoja është filmuar nga një tjetër i mitur, shok me fëmijën që ndodhej në makinë, dhe është publikuar fillimisht në rrjetet sociale. Qytetari që na dërgoi pamjet pretendon se fëmija brenda mjetit është 11-vjeç, por JOQ Albania nuk mund ta verifikojë këtë në mënyrë të pavarur. Nga videoja duket qartë që bëhet fjalë për një të mitur, por mosha e saktë mbetet e paqartë.
Në pamje dëgjohet i mituri që filmon teksa thotë: “Shife si po e dhunon, ja policia e shtetit!” Ndërkohë që punonjësi i policisë, sapo vëren se po filmohet, tërheq menjëherë duart nga i mituri që ndodhet brenda mjetit të tij. Lëvizjet e policit duken sikur i ka kapur fëmijës veshin ose flokët, por videoja nuk e tregon qartë momentin dhe natyrën e saktë të veprimit.
Aktualisht, informacionet bazohen vetëm në videon e mbërritur dhe dëshminë e qytetarit. Nuk dihen ende as konteksti i plotë, as motivet e ndërhyrjes së punonjësit të policisë.
JOQ Albania po përpiqet të sigurojë informacion shtesë nga institucionet përkatëse dhe do të publikojë çdo zhvillim të ri sapo të jetë i disponueshëm.