OBSH ngre alarmin: 1 në 7 fëmijë në Europë vuan nga probleme të shëndetit mendor

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 17.11.2025, 19:44

OBSH ka publikuar raportin më të ri mbi gjendjen e shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve në Europë duke paraqitur një situatë serioze dhe gjithnjë e më shqetësuese.

Sipas të dhënave të raportit, 1 në 7 fëmijë dhe adoleshentë jeton me një çrregullim të shëndetit mendor, ndërsa vajzat e moshës 15–19 vjeç rezultojnë të jenë veçanërisht të prekura, me 1 në 4 prej tyre që përballen me probleme të tilla.

Raporti thekson gjithashtu se vetëvrasja mbetet shkaku kryesor i vdekjeve tek të rinjtë e moshës 15–29 vjeç, duke u kthyer në një ndër sfidat më të mëdha shëndetësore në kontinent.

Gjatë 15 viteve të fundit, prevalenca e çrregullimeve të shëndetit mendor tek fëmijët dhe të rinjtë është rritur me rreth 33%, por pavarësisht kësaj rritjeje të dukshme, shërbimet shëndetësore nuk kanë avancuar me të njëjtin ritëm.

Raporti vë në dukje se një në katër vende europiane nuk ofron shërbime komunitare të shëndetit mendor për fëmijët dhe adoleshentët, ndërsa një në pesë vende nuk ka politika të dedikuara për këtë grupmoshë.

Për më tepër, cilësia e shërbimeve ndryshon ndjeshëm mes shteteve dhe aktualisht ka vetëm një psikiatër për çdo 76 000 fëmijë dhe të rinj, një tregues i qartë i mungesës së theksuar të profesionistëve të fushës.

Për të adresuar këto boshllëqe, raporti rekomandon nëntë masa thelbësore që vendet duhet t’i zbatojnë urgjentisht, duke përfshirë hartimin e planeve kombëtare të shëndetit mendor, vendosjen e standardeve klinike, investimin në rritjen e kapaciteteve të stafit profesional, përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve dhe fuqizimin e familjeve dhe komuniteteve në proceset vendimmarrëse.

Drejtuesit e OBSH-së e kanë cilësuar këtë raport si një thirrje alarmi për të gjithë Rajonin e Europësdhe një pikë kthese të rëndësishme për mënyrën se si vendet duhet t’i qasen shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve.

Sipas OBSH-së, veprimi i menjëhershëm dhe investimet e qëndrueshme janë të domosdoshme për të ndërtuar sisteme të forta dhe të afta për t’u ardhur në ndihmë gjeneratave të ardhshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit