Një apel prekës ka mbërritur mbrëmjen e sotme në redaksinë e JOQ, ku kërkohet ndihmë për një zonjë e cila qëndron e vetme në mes të rrugës.
Ajo ndodhet në rrugën “5 Maji” në Tiranë, dhe kërkon ndihmë pasi sikur thotë është e pastrehë. Prej një viti ajo ka ardhur nga Bulqiza, dhe tregon se askush nuk e ka ndihmuar.
Nuk dihet nëse gruaja vuan nga probleme të shëndetit mendor, por ajo ka një shenjë të zezë në pjesën e hundës e cila nuk dihet nga se i është shkaktuar.
“Jam Lindita Jela 45-vjeçe. Kam ardhur para një viti nga Bulqiza, policia më mori dhe më futi në një dhomë me çelës. Po unë nuk rri dot atje, se nuk jam qen. Edhe qeni nuk rri ashtu. Kam nevojë për ndihmë,” dëgjohet të thotë Lindita.
Personat që kanë dërguar pamjet nuk kanë mundur që t’i marrin asaj një numër telefoni, prandaj apeli shkon për institucionet përgjegjëse të strehimit social, që të marrin masa për këtë rast fatkeq.