Kallëzohet drejtori i Albpetrol: akuzat për tendera dhe dëme marramendëse

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.11.2025, 18:48

Drejtori i Albpetrol, Eltar Deda, i promovuar dikur si “doktor i naftës” dhe njeriu që do të pastronte aferat e ndërmarrjes, tashmë është në qendër të një kallëzimi penal. Në SPAK pritet të depozitohen akuza për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre, vjedhje të pasurisë publike dhe pastrim parash, të mbështetura në auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe raportime mediatike.

Sipas kallëzimit, Albpetrol nën drejtimin e Dedës ka kryer abuzime masive me tendera dhe ankande nafte, me dëme ekonomike që kapin qindra milionë euro. Mes tyre përfshihet edhe pagesa me para publike e 3 milionë eurove për energjinë elektrike të kompanive që shfrytëzojnë vendburimet, shpenzime që, sipas KLSH, nuk i takonin shtetit.

Tenderat e paracaktuar dhe kompanitë pa kritere

Në dosje përfshihet edhe rasti i tenderit të vitit 2022 për “purteka”, me vlerë 150 mijë euro, ku fituese u shpall kompania “USalb & Co” e Bardhi Melit, ish-zyrtar i AKBN. Kompania ishte themeluar vetëm disa muaj më parë dhe nuk plotësonte kriteret financiare të kërkuara, pasi nuk kishte bilanc dhe xhiro të viteve të mëparshme. Megjithatë, Albpetrol e shpalli fituese.

Një tjetër aferë lidhet me tenderin 4.2 milionë euro të firmosur në 2024 nga Deda për kompaninë e Renido Petritajt. Sipas sinjalizimeve, procedura është ndërtuar në mënyrë të tillë që fituesi të ishte i paracaktuar, ndërsa kompanitë nuk kanë pasur përvojë në objektin e kontratës. Madje, thuhet se punimet po kontrollohen nga një person i përfshirë në skemë, me qëllim vjedhjen e fondeve publike.

KLSH: Dëme të rënda dhe kërkesë për shkarkim

Auditimi i KLSH ka zbuluar një zinxhir shkeljesh: shitje të naftës bruto jashtë standardit teknologjik që kanë ulur vlerën e ankandeve me rreth 5.8 milionë dollarë; tonelata nafte të groposura pa respektuar procedurat ligjore; faturime të fryra të energjisë elektrike; tendera me pajisje që ende nuk janë vënë në punë; dhe kuota të pajustifikuara karburanti për drejtues të Albpetrol.

Vetëm në një rast, KLSH vlerëson se shpenzimet e pajustifikuara kapin mbi 1.1 miliard lekë nga diferencat në llogaritjen e kamatëvonesave të energjisë elektrike.

Për të gjitha këto gjetje, KLSH rekomandoi shkarkimin e Eltar Dedës nga detyra, rekomandim që u injorua nga qeveria. Tashmë raporti i auditit do t’i bashkëngjitet dosjes së kallëzimit në SPAK.

Shkelje të përsëritura në tendera

KLSH liston gjithashtu tendera të tjerë problematikë, përfshirë furnizime për tubacione dhe pajisje matëse nafte ku fitues janë shpallur kompani që nuk përmbushnin kriteret. Në disa raste pajisjet ende ndodhen në magazinë, pa u instaluar, duke e kthyer investimin prej dhjetëra milionë lekësh në shpenzime pa efektivitet.

Në tërësi, kallëzimi ndaj Dedës paraqet një skemë të gjerë abuzimesh të pretenduara në Albpetrol, që nga tenderat e manipuluar deri tek keqadministrimi i pasurisë publike. SPAK pritet të vendosë nëse do të nisë zyrtarisht hetimet për çështjet e ngritura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit