Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në aksin rrugor Fier–Seman, në vendin e quajtur Fermë Çlirim. Një automjet tip “Benz” është përplasur me një karrocë me kalë, duke e hedhur atë në kanalin anësor të rrugës.
Si pasojë e goditjes së fortë, drejtuesi i karrocës, shtetasi F. R., ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Fatkeqësisht, kafsha që tërhiqte karrocën ka ngordhur pak çaste pas përplasjes.
JOQ Albania ka siguruar edhe pamje nga vendngjarja, ku shihen karroca e përmbysur në kanal, automjeti me pjesën e përparme të dëmtuar, si edhe kali i rrëzuar pak para se të ngordhte.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se aksidenti mund të jetë favorizuar nga mungesa e sinjalistikës ndriçuese në karrocë dhe ndriçimi i dobët në segmentin rrugor ku ndodhi përplasja. Megjithatë, shkaqet e sakta pritet të përcaktohen nga grupi hetimor.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 17:10 automjeti me drejtues shtetasin J. M. është përplasur me një karrocë të tërhequr nga një kafshë, drejtuar nga shtetasi F. R. Ky i fundit ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.