Një qytetare nga Durrësi ka ngritur së fundmi një shqetësim të përsëritur për banorët e pallatit, zaptimin e hapësirave të përbashkëta të parkimit. Në pamjet e dërguara pranë redaksisë, shihet qartë se zona poshtë pallatit është kthyer në territor privat nga disa banorë, të cilët kanë vendosur karrige, hekura dhe objekte të tjera për të “rezervuar” vendet e parkimit, sikur t’u përkisnin vetëm atyre.
Ky veprim jo vetëm që krijon tension mes banorëve, por shkel hapur rregullat dhe ligjin. Hapësira e përbashkët nuk është pronë individuale, dhe zënia e saj me mjete të tilla përbën shkelje të penalizueshme. Megjithatë, duket se për disa durrsakë rregullat mbeten thjesht rekomandime, ndërsa komoditeti personal vihet mbi të drejtën kolektive.
Denoncuesja tregon se, për shkak të këtyre zaptimeve, ajo është e detyruar të parkojë në zona ku rrezikon gjobë ose dëmtim të automjetit.Duhen ndërhyrje serioze nga institucionet dhe një ndëshkim real i këtyre praktikave, në mënyrë që hapësirat e përbashkëta të mos mbeten peng i sjelljeve individualiste dhe të padrejta. Deri atëherë, qytetarët e rregullt do të vazhdojnë të paguajnë koston e papërgjegjshmërisë së të tjerëve.