Kabina elektrike në Kashar rrezik për fëmijët, prej 4 ditësh me dyer të hapura

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 17.11.2025, 14:57

Banorët e zonës së Kasharit ngrenë alarmin për një kabinë elektrike pranë kthesës që të çon te Gama Reklama dhe zyrat e OST-së, e cila prej më shumë se katër ditësh qëndron me dyert hapur. Sipas tyre, askush nuk ka marrë masa për mbylljen e saj, ndërsa rreziku është i madh, veçanërisht për fëmijët që luajnë çdo ditë në rrugicën para shtëpive të tyre. Banorët thonë se fëmijët mund të futen pa dijeni për rrezikun që paraqet energjia elektrike në atë ambient.

Situata bëhet edhe më shqetësuese nga fakti se një pjesë e murit pranë kabinës është e dëmtuar pas një aksidenti të ndodhur dy muaj më parë, ku një makinë u përplas dhe u shembën strukturat anësore. Për të mbuluar hapësirën, janë vendosur thjesht disa paleta druri, të cilat nuk ofrojnë asnjë siguri. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të shmangur një incident të mundshëm dhe për të garantuar sigurinë e komunitetit.

Denoncimi i qytetarit:

Përshëndetje JOQ. Doja të ndaja një shqetësim, pasi te kthesa e Kasharit, aty ku futesh për te Gama Reklama ose te zyrat e OST-së, ndodhet një kabinë elektrike e cila prej më shumë se 4 ditësh qëndron me dyert e hapura dhe askush nuk po merr masa. Kemi frikë për fëmijët, sepse ata luajnë në rrugën para shtëpisë dhe mund të futen brenda, pasi nuk e dinë rrezikun. Po ta shikoni, ngjitur me murin janë vendosur dy paleta, sepse pjesa aty është e shembur para dy muajsh u përplas një makinë. Duket se e kanë menduar më të sigurt ta mbyllin me paleta sesa me blloqe, ndërkohë që dera e hapur krijon rrezik që të futet kushdo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit