Për Armando Brojën, dëmtimet po kthehen në një makth të pafund. Sulmuesi i kombëtares, që aktualisht aktivizohet me Burnley në Premier League, u fut në lojë në pjesën e dytë të sfidës ndaj Anglisë, por qëndroi vetëm 15 minuta. Një dëmtim i papritur e detyroi 24-vjeçarin të largohej me barrelë dhe mes lotësh, një moment që tronditi të gjithë sportdashësit.
Tabloidi britanik Daily Mail i kushtoi vëmendje ngjarjes, duke nënvizuar se Broja ka humbur plot 80 ndeshje në karrierë për shkak të dëmtimeve të shpeshta, një statistikë alarmante për një sulmues në moshën e tij.
Tifozët nuk ngurruan të mbushnin rrjetet sociale me mesazhe inkurajuese për sulmuesin kuqezi. “Sa herë dëmtohet Broja, e ndjej edhe vetë dhimbjen. Ky djalë është vërtet i pafat,” shkruante një përdorues në X, duke reflektuar ndjenjat e shumë të tjerëve.
Broja, i formuar fillimisht te akademia e Tottenham përpara se të transferohej te Chelsea, u dha me huazim te Vitesse dhe Southampton nga 2020 deri në 2022. Rikthimi te Chelsea nisi mbarë, por një dëmtim i rëndë në ligamentet e gjurit e mbajti mbi një vit jashtë fushave.
Pas rikthimit ai u huazua te Everton dhe Fulham, pa mundur të gjente rrugën e rrjetës, dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe te Burnley deri tani. Tashmë pritet me shqetësim diagnoza për dëmtimin e fundit, ndërsa sulmuesi i kombëtares duket sikur po e ndjek një mallkim i vërtetë.