Gazeta spanjolle El País ka rikthyer vëmendjen te biznesmeni shqiptar Luftar Hysa, i cili së bashku me familjen e tij është sanksionuar nga SHBA për lidhje me Kartelin e Sinaloas. Departamenti Amerikan i Thesarit ka bllokuar asetet e Hysëve dhe rreth 20 kompani në Meksikë, Kanada dhe Poloni, duke akuzuar grupin për pastrim parash përmes kazinove dhe investimeve të ndryshme. Hetimi amerikan përmend edhe bashkëpunëtorin meksikan Gilberto López dhe tregon se familja Hysa ka krijuar një rrjet të ndërlikuar kriminal me lidhje ndërkombëtare.
Sipas El País, Luftar Hysa është një nga shtyllat kryesore të organizatës, duke udhëtuar mes Meksikës dhe Kanadasë, ndërsa vëllezërit e tij Arben, Fatos dhe Fabjon dyshohen për përdorimin e kompanive për pastrim parash. OFAC dhe FinCEN theksojnë se bizneset e Hysëve, duke përfshirë kazino, restorante dhe kompani fasadë, kanë shërbyer për të transferuar fonde të trafikut të drogës, duke lehtësuar pagesa të paligjshme për Kartelin e Sinaloas.
Ekspertët vënë në dukje se lidhjet mes grupeve kriminale shqiptare dhe kartelit meksikan nuk janë të rastësishme, pasi mafia shqiptare ka investuar në pasuri dhe projekte të ndryshme në Evropë dhe Meksikë për të larë fitimet nga krimi. Sanksionet amerikane përfshijnë gjithashtu 10 kazino në Meksikë, ku drejtuesit morën udhëzime të detajuara nga karteli për të shmangur kontrollin financiar, duke përdorur qindra llogari bankare për transaksione në para të gatshme.