Një video e veçantë ka mbërritur sot në redaksinë e JOQ Albania, ku shfaqet një mulli i vjetër mbi 70-vjeçar, i cili vazhdon të funksionojë edhe në ditët e sotme.
Mulliri ndodhet në fshatin Dushman, në zonën e Dukagjinit, dhe shpesh kthehet në një atraksion turistik për vizitorët e interesuar. Mulliri prej guri dëshmon rëndësinë e tij historike, pasi përdoret për bluarjen e grurit dhe misrit, duke prodhuar miell.
“Përshëndetje! Ky është një mulli i vjetër mbi 70 vjeç në zonën e Dukagjinit, i cili është ende funksional. Ndodhet në fshatin Dushman,” shkruan qytetari që ka ndarë këto pamje të rralla.
Vite më parë këto mullinj me rasa gurësh ishin e vetmja mundësi për të bluar drithërat dhe përfituar miell. Sot ata janë shumë të rrallë, pasi zhvillimi i teknologjisë i ka nxjerrë jashtë funksionit.