SI SOT/ Një vit pa Martinin! Drejtësia e dështuar i ka ende një borxh familjes së tij dhe shoqërisë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 18.11.2025, 08:00

Sot mbushet një vit nga 18 nëntori 2024, dita e zezë kur Tirana u trondit nga humbja tragjike e 14-vjeçarit, Martin Cani dhe plagosja e shokut të tij, Luisit, pas një konflikti me bashkëmoshatarët, të regjistruar pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.

Një ngjarje që ndryshoi përgjithmonë jetët e dy familjeve dhe la pas një plagë kolektive, e cila ende nuk është mbyllur. Ajo ditë e errët, kur fëmijët duhej të ishin në bankat e shkollës dhe jo përballë dhunës, mbetet një kujtesë e dhimbshme se insititucionet nuk i mbrojnë fëmijët tanë dhe tregojnë papërgjegjshmëri. Pavarësisht rëndësisë së situatës, mësimi vijoi normalisht në turnin e dytë. Manastirliu, asokohe ministre e Arsimit zgërdhihej në nderimin e Martinit, kryeministri fajësoi rrjetet sociale dhe jo dështimin e institucioneve që varen prej të zgjedhurve të tij!

Pas 8 muajsh, Prokuroria në shkelje të plotë të ligjit, përpos pamëshirës morale, shpërndau materialet filmike të momentit tragjik, nëpërmjet zarave të Rilindjes. Aty shihej se si Martin goditej me thikë, pamje që goditën për të dytën herë familjen.

Lidhur me ngjarjen, burime për JOQ bënë me dije se në grupin e përfshirë ishte i mituri Kledion Bejkaj, djali i hetuesit të BKH-së Maksim Bejkaj dhe punonjëses së SPAK-ut Nevila Bejkaj, emër i cili nuk ishte pasqyruar në dokumentet e para policore. Këtë e ka pohuar edhe Luisi, i cili deklaroi publikisht se ishte goditur me thikë nga ai. Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria kanë deklaruar se Bejkaj nuk rezulton i përfshirë në veprën penale, duke krijuar një kontrast të fortë mes pamjeve të publikuara, dëshmive të të plagosurit dhe qëndrimit zyrtar të institucioneve.

Si ka mundësi që një ngjarje kaq e rëndë, ende shoqërohet me mjegull proceduriale dhe mungesë përgjegjësie institucionale? A është i besueshëm një sistem që nuk arrin të mbrojë fëmijët e këtij vendi, dinjitetin e prindërve, transparencën?

Nëse pas një viti ende nuk ka drejtësi e transparencë, atëherë plagët e kësaj tragjedie nuk i përkasin vetëm familjes Cani dhe Meçaj, por gjithë shoqërisë shqiptare!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit