SI SOT/ 81-vjetori i çlirimit të Tiranës dhe pushtimi i saj sot nga betoni dhe ndotja

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 17.11.2025, 12:31

Sot shënohen 81 vjet nga çlirimi i Tiranës, një nga momentet më të rëndësishme dhe të suksesshme të Luftës Nacional Çlirimtare. Më 17 nëntor 1944, trupat e Brigadës së Parë Sulmuese, të udhëhequra nga Mehmet Shehu, çliruan kryeqytetin nga pushtuesit nazistë pas 19 ditë luftimesh të ashpra, ku banorët e Tiranës luajtën një rol aktiv dhe të vendosur.

Plani i operacionit, hartuar nga shtabi i korpomatës në përputhje me udhëzimet operativo-strategjike të Komandës së Përgjithshme, parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm për të izoluar dhe goditur garnizonin gjerman brenda qytetit. Operacioni u zhvillua në tri faza, përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe sulmi përfundimtar (11 – 17 nëntor), duke garantuar fitore pas përleshjeve të ashpra brenda qytetit dhe rrugëve drejt tij.

Një rol të veçantë në suksesin e çlirimit luajti beteja e Mushqetasë, ndërsa kontribut i madh dha edhe populli i Tiranës, i cili mbështeti fuqishëm luftimet në lagjet dhe rrugët e qytetit. Çlirimi i Tiranës shënoi një moment historik, duke demonstruar organizimin dhe guximin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare në luftën kundër pushtuesve.

Edhe pse sot shënohen 81 vjet nga çlirimi i Tiranës, qyteti duket se përsëri është nën pushtim, këtë herë jo nga pushtues të huaj, por nga ndërtesa të larta që e kanë mbushur me kulla pa shpallje estetike, ajri i ndotur që e rëndon frymëmarrjen dhe çmimet e apartamenteve që pak kush mund t’i përballojë. Në një farë mënyre, qyteti i guximshëm i 1944-s duket se është rikthyer nën një lloj kontrolli tjetër, ku banorët duhet të luftojnë jo me armë, por me çmime, beton dhe ndotje, duke bërë ironikisht paralelizmin mes një çlirimi të lavdishëm dhe një realiteti modern që e sfidon jetën e qytetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit