Gjykata e Strasburgut do të shqyrtojë çështjen e studentëve të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës (UMT), të cilët kundërshtojnë Ligjin 60/2023 që i detyron ata të punojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve ose, në të kundërt, të paguajnë “koston e plotë të studimeve”. Ky ligj kishte mbetur në fuqi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në shkurt 2024, e cila uli periudhën e punësimit me detyrim nga pesë në tre vjet, duke konsideruar se dispozitat origjinale kufizonin në mënyrë të palejueshme të drejtën e zgjedhjes së vendit të punës.
Parlamenti ndryshoi më pas ligjin në shtator 2024 për t’u përputhur me vendimin e Kushtetueses, duke përcaktuar se studentët duhet të punojnë tre, dy ose një vit në vend, në varësi të vitit të regjistrimit, ose të paguajnë kostot e mbetura të arsimit mjekësor. Gjithashtu, mbajtja e diplomave deri në përfundimin e punësimit mbetet në fuqi, gjë që ka shkaktuar shqetësim tek studentët, të cilët pretendojnë se kjo është një masë diskriminuese dhe joproporcionale.
Studentët ankohen gjithashtu për shkelje të të drejtës për jetë private dhe aktivitete profesionale, mungesë të parashikueshmërisë në rritjen e kostove të studimeve dhe trajtim të padrejtë për ata që nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar pagesën e plotë. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut do të vendosë nëse këto dispozita bien ndesh me të drejtat e tyre themelore sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.