Shqipëria renditet ndër vendet me përdorimin më të ulët të inteligjencës artificiale, me vetëm 15.8% të shqiptarëve që përdorin rregullisht mjete të AI në jetën e përditshme ose në punë. Ky nivel është dukshëm më poshtë se mesatarja europiane, ku shumë shtete të BE-së arrijnë 30–40% përdorim, ndërsa vendet si Irlanda, Franca dhe Spanja shënojnë mbi 39–41%.
Raporti i Microsoft tregon se që prej lançimit të ChatGPT në vitin 2022, mbi 1.2 miliardë njerëz në botë kanë përdorur mjete të AI, duke e bërë adoptimin e saj më të shpejtë se teknologjitë e mëparshme si interneti apo smartfonët. Bashkimi Europian kryeson përdorimin e AI, veçanërisht në vendet më të zhvilluara ekonomikisht, ndërsa vendet si Rumania dhe Greqia shfaqin nivele më të ulëta përdorimi.
Sipas raportit, përdorimi i AI lidhet ngushtë me infrastrukturën, energjinë elektrike të qëndrueshme dhe lidhjet e mira të internetit. Pothuajse katër miliardë njerëz në botë jetojnë ende në rajone ku këta faktorë mbeten një sfidë, duke theksuar hendekun mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim në aksesin dhe përdorimin e teknologjive të reja.