Një krizë e re ka prekur institucionin më të lartë të vendit pas zbulimit se 31 deputetë të Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Socialiste (PS) nuk janë pajisur me certifikata sigurie për akses në informacion të klasifikuar. Lista përmban 14 emra nga PD-së dhe koalicioni i tyre, duke përfshirë figura si Sali Berisha, Flamur Noka, Fatmir Mediu, Albana Vokshi, Gjin Gjoni, Erisa Xhixho, Kliti Hoti, Xhelal Mziu, Arian Ndoja, Bledjon Nallbati, Edmond Haxhinasto, Klodiana Çapja, Luan Baçi dhe Brunilda Haxhiu. Ndërsa nga radhët e PS-së janë 17 deputetë, duke përfshirë Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu, Ornaldo Rakipi, Agron Malaj, Loer Kume, Arkend Balla, Ani Dyrmishi, Tërmet Peçi, Pirro Dhima, Ceno Klosi, Klevis Jahaj, Xhenis Çela, Bujar Rexha, Sara Mila, Saimir Hasalla, Olsi Komici dhe Agron Gaxho.
Autoriteti Kombëtar i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) ka refuzuar të pajisë këta deputetë me certifikata sigurie duke u bazuar në informacionet e disponueshme, duke ngritur dyshime për integritetin dhe lidhjet e tyre me aktivitete të paligjshme. Shumë prej tyre janë aktualisht nën hetim ose gjykim nga SPAK dhe GJKKO për korrupsion, pastrim parash, ose janë të përfshirë në grupe kriminale.
Përveç listës kryesore, në proces verifikimi janë edhe 25 deputetë të tjerë që janë në pritje të informacionit shtesë nga Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, SHISH dhe agjencitë partnere të SHBA-BE. Kjo situatë është veçanërisht shqetësuese për faktin se gjatë marrjes së mandateve, do të duhej të kryheshin verifikime të plotëta të figurave publike, sidomos ndaj atyre me dosje të hapura penale apo të dyshuar për aktivitete kriminale.
Një tjetër shqetësim i madh është fakti se disa prej këtyre deputetëve janë anëtarë të komisioneve kyçe të sigurisë kombëtare, të çështjeve të brendshme dhe të jashtme, të ligjeve, ndërkohë që marrin pjesë në procedura që prekin informacionet sekrete të shtetit. Kjo situatë hap debate të forta për nevojën e rivlerësimit të kritereve të kontrollit të figurave publike në vend, për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe integritetin e institucionit parlamentar.
