Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar cigaret elektronike njëpërdorimëshe që nga qershori, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të nismave vullnetare që riciklojnë bateritë e tyre për t’i dërguar në Ukrainë. Viacheslav Semeniuk, një vullnetar ukrainas që jeton në Leeds, ka organizuar mbledhjen dhe çmontimin e mijëra pajisjeve, të cilat shndërrohen në powerbank për trupat në vijën e parë të frontit. Ai thotë se ndalimi i shitjes i ka shtyrë shumë dyqane britanike t’i dhurojnë këto pajisje, duke shmangur kostot e riciklimit të detyrueshëm me ligj.
Sipas REL, vullnetarë të tjerë në qytete të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar po japin gjithashtu kontributin e tyre, duke mbledhur cigare elektronike të padëshiruara dhe duke i çmontuar paraprakisht për të shmangur tarifat doganore gjatë transportimit drejt Ukrainës. Bateritë e nxjerra, të cilat janë të klasifikuara si "mbeturina", mund të kalojnë kufijtë më lehtë dhe më pas paketohen në kuti të printuara në 3D në Lviv për t’u shndërruar në powerbank të qëndrueshëm dhe të rikarikueshëm, të cilët përdoren nga ushtarët për pajisje të ndryshme me USB.
Ndërsa ukrainasit shfrytëzojnë bateritë e vape-ve për furnizime energjie, edhe Rusia ka nisur fushata të ngjashme, ku qytetarët nxisen të dhurojnë cigaret elektronike për të fuqizuar servomotorë të përdorur në dronë. Në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë, qeveria ka nënvizuar ndikimin e rëndë mjedisor të vape-ve njëpërdorimëshe, të cilat përmbajnë sasi të konsiderueshme litiumi – mjaftueshëm për të prodhuar 5.000 bateri makinash elektrike çdo vit.