Nga e hëna moti i keq godet Shqipërinë: Shtrëngata shiu, dëborë dhe rrezik për përmbytje!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.11.2025, 22:48

Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një njoftim urgjent për qytetarët, duke paralajmëruar se vendi do të përfshihet nga një situatë e rënduar hidrometeorologjike që prej ditës së hënë, 17 Nëntor 2025, deri të enjten, 20 Nëntor 2025. Sipas njoftimit, priten reshje të dendura shiu dhe stuhi, ndërsa disa zona malore rrezikojnë të bien nën pushtetin e dëborës dhe ngricave.

Sipas të dhënave të përditësuara nga IGJEO dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, situata do të përkeqësohet gradualisht gjatë fillimit të javës.

Dita e hënë, 17 nëntor: Reshje mesatare deri lokalisht intensive priten në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Në Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata, me një rritje të intensitetit në orët e pasdites.

Dita e martë, 18 nëntor: Pritet një shtim i ndjeshëm i reshjeve në të gjithë territorin. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përfshihen nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Ndërsa në Lezhë, Dibër, Durrës dhe Tiranë reshjet do të jenë mesatare deri intensive. Shtrëngatat do të jenë të pranishme në të gjithë vendin.

Dita e mërkurë, 19 nëntor: Reshjet me intensitet të lartë do të mbizotërojnë në mbarë vendin. Sërish, rreziku më i madh për reshje intensive deri shumë intensive mbetet në Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Dita e enjte, 20 nëntor: Parashikohet ulje e intensitetit, me reshje të dobëta deri mesatare kryesisht në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në zonat malore mbi 400 metra lartësi në Veri, Lindje dhe Juglindje, reshjet do të jenë në formë dëbore, duke sjellë mundësi për ngrica dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Një shqetësim tjetër është dhe volumi i reshjeve në basenin e lumit Drin, ku parashikohen deri në 300 mm në zonën Koman – Vau i Dejës, duke rritur rrezikun e përmbytjeve.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, duke kërkuar nga strukturat vendore, qendrore dhe bashkitë gatishmëri maksimale e marrjen e masave parandaluese, u bëjnë thirrje qytetarëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit