Shqipëri dinjitoze përballë Anglisë, rezultat negativ por lojë pozitive

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.11.2025, 20:06

Shqipëria e ka mbyllur me humbje aventurën në kualifikueset e Botërorit 2026, duke u mundur 2-0 nga Anglia në “Air Albania”. Pavarësisht rezultatit, paraqitja e kuqezinjve ishte mjaft e mirë, ndërsa Strakosha shkëlqeu sërish me pritje vendimtare gjatë gjithë ndeshjes.

Pas një pjese të parë shumë të fortë, që u mbyll pa gola dhe ku kuqezinjtë patën raste të mira me Laçin, Bajramin dhe Hoxhën, lajmi i keq erdhi herët: Elseid Hysaj u detyrua të largohej i dëmtuar në minutën e 26, duke ia lënë vendin Balliut.

Në pjesën e dytë Shqipëria vazhdoi me guxim, por finalizimi mungoi. Anglia mori kontrollin e lojës dhe në minutën e 74-t, Harry Kane mposhti Strakoshën nga afër, duke zhbllokuar sfidën. Vetëm tetë minuta më vonë, kapiteni anglez dyfishoi me një goditje të saktë me kokë.

Kuqezinjtë pësuan një tjetër goditje në minutat e fundit, kur Armando Broja u dëmtua rëndë dhe u detyrua të largohej me barelë nga fusha, duke lënë një shqetësim të madh për vazhdimësinë e tij.

Megjithatë, humbja ishte pa pasoja për Shqipërinë. Kombëtarja e Silvinhos e mbyll Grupin K në vendin e dytë me 14 pikë dhe siguron Play-Off-in e Botërorit 2026. Përballë kishte Anglinë rekordmene të këtij edicioni: 8 ndeshje, 8 fitore, 22 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar.

Pavarësisht humbjes, paraqitja e kuqezinjve ishte e denjë, e disiplinuar dhe me shumë momente të mira, ndërsa Strakosha vijoi të ishte në super formë me pritje fantastike që e mbajtën skuadrën në lojë deri vonë.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër të grupit, Serbia përmbysi Lituaninë në pjesën e dytë, duke fituar me rezultatin 2-1.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit