Figurës së kreut të Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj, po i shtohen dyshimet serioze për falsifikim dokumentesh, konflikt interesi dhe favorizim në procesin e vettingut.
Deklarimet e tij të kundërta për arsimimin, periudhat e punësimit dhe mënyra si ka përfituar dy diploma universitare, ngrejnë pikëpyetje që kërkojnë verifikim urgjent nga institucionet e drejtësisë dhe SPAK.
Faktet e bëra publike lidhur me arsimimin e dyshimtë dhe procedurën e rivlerësimit kalojnë kufijtë e një verifikimi administrativ të thjeshtë.
Dokumentet zyrtare në vetëdeklarimet e Mustafajt dhe në vendimin e vettingut sugjerojnë se ai mund të mos duhej të vijonte ushtrimin e detyrës dhe se rasti duhet hetuar njësoj si kolegët e tij të penalizuar për fakte të ngjashme.
Studimet 4-vjeçare dhe Masteri, të kryera paralelisht me punën me kohë të plotë
Dokumentet zyrtare tregojnë se Mustafaj ka deklaruar periudha që përplasen me njëra-tjetrën. Më 1 maj 2004, në moshën 24-vjeçare, ai ka nisur punë me kohë të plotë si kancelar në Prokurorinë e Durrësit. Ndërkohë, për të njëjtën periudhë, deklaron se ka ndjekur studimet me kohë të plotë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës gjatë viteve 2003–2007.
Përveç ciklit 4-vjeçar, Mustafaj deklaron se ka ndjekur edhe “Master Shkencor” në të njëjtin fakultet, pikërisht në të njëjtat vite kur figuron ende student i ciklit të parë. Pra, punësim me kohë të plotë, studime bachelor me kohë të plotë dhe studime master paralelisht – një kombinim i pamundur në kushte normale.
Këto vite përkojnë me periudhën kur daja i tij, Prof. Dr. Skënder Kaçupi, mbante pozicionet më të rëndësishme akademike në Fakultetin Juridik: profesor, shef departamenti, zv.dekan dhe më pas dekan. SPAK pritet të hetojë se si është pranuar Mustafaj si student me kohë të plotë dhe si është regjistruar njëkohësisht në ciklin Master, ndërkohë që punonte me orar të plotë në prokurori.
Dosja universitare, amzat dhe dy diplomimet e tij ndodhen në sekretarinë e Fakultetit Juridik, ku mund të verifikohet konkretisht kush ka firmosur pranimin dhe si janë ndjekur procedurat për regjistrimet e tij.
Ndikimi i lidhjeve familjare në procesin e vettingut
Dyshime të forta ngrihen edhe për procesin e vettingut të Elion Mustafajt. Anëtarët e trupës që e kaluan atë në rivlerësim, Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici dhe Firdes Shuli, rezultojnë të kenë qenë ish-studentë të dajës së tij, Prof. Dr. Kaçupi, dhe të përzgjedhur prej tij në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, raporton Pamfleti. Kjo ngrit pikëpyetje për konflikt të drejtpërdrejtë interesi dhe favorizim.
Sipas të dhënave të deritanishme, pa ndikimin e dajës së tij, Mustafaj vështirë ta kishte kaluar vettingun, duke qenë se ndaj tij qëndrojnë një sërë “njollash” dhe elementësh problematikë:

Elion Mustafaj dhe Skender Kaçupi

