Një qytetare nga Vlora ka raportuar për JOQ se në mëngjesin e sotëm në zonën e Lungomares, nëna e saj, e cila kishte dalë për ecje si zakonisht, është sulmuar nga disa qenë endacakë dhe është kafshuar në këmbë.
Sapo është njoftuar, ajo ka shkuar menjëherë te e ëma dhe me urgjencë e ka dërguar në poliklinikën e qytetit.
Ajo shprehet se një punonjëse atje i ka informuar se mjeku nuk kishte mbërritur ende dhe duhej të prisnin, ndërsa për injeksionin e tetanozit u tha se poliklinika nuk e kishte dhe se duhej blerë në farmaci. Denoncuesja tregon se farmacistja e ka sqaruar se asnjë farmaci nuk shet tetanoz dhe se ishin keqinformuar, duke i këshilluar të drejtoheshin në urgjencën e spitalit.
Por në spital një mjek i ri i ka ndihmuar me tetanozin dhe qytetarja shprehet se ky denoncim bëhet jo vetëm për rrezikun e shtuar të qenve endacakë që sipas saj po shtohen çdo ditë, por edhe për mungesën e vaksinës së tetanozit në urgjencat e qytetit, gjë që e konsideron tejet shqetësuese pasi lidhet drejtpërdrejt me jetën e njerëzve. Ajo kërkon që rasti të publikohet me shpresën se do të merren masa konkrete si për largimin e qenve, ashtu edhe për furnizimin e duhur të qendrave shëndetësore.
Në fund, qytetarja shprehet se pret që kryetarja e re e bashkisë ta ketë si prioritet problemin e qenve endacakë, duke shtuar në mënyrë kritike se ajo nuk duhet të fokusohet te deklaratat politike për mënyrën si i fitoi zgjedhjet, por te problemet reale të qytetit.
Denoncimi i qytetares:
Pershendetje JOQ doja te denoncoja nje rast qe ka ndodhur sot ne qytetin e Vlores dhe do isha shume falenderus nqs do ta postonit. Mengjesin e sotem mamaja ima kishte dale per ecje ne zonen e lungomares sic del gjithmone dhe u sulmua nga disa qen rruge duke e kafshuar ne kembe
Ajo me mori ne telefon dhe me urgjence une kam shkuar me makin e kam marre dhe e kam cuar ne polikliniken e qytetit. Nje person qe ishte aty na tha qe mjeku nuk ka ardh akoma dhe duhet te prisnim. Ne i thame qe te pakten ti benin gjilperen e tetanozit. Ajo na tha qe ne nuk e kemi por duhet te shkojme ta blejme ne farmaci. Pasi shkova per ta blere farmacistja na tha qe asnje farmaci nuk shet tetanoza dhe po na sorollasnin kot dhe na the te shkonim te urgjenca e spitalit.
Nje djale i ri qe ishte mjek ne spital u soll shume mire me ne fatmiresisht dhe e mjekoi mamane time i beri dhe tetanozin. E bej kete denoncim sepse jo vetem per problemin qe i gjithe qyteti eshte mbushur me qen te eger qe sa vin e shtohen akoma me shume por edhe per mungesen e gjilperes se tetanozit neper urgjenca. Kjo eshte teper shqetesuese sepse eshte ne vije jeta e njeriu.
Do ju lutesha ta postonit qe te behet nje veprim per largimin e qenve por edhe per furnizimin e urgjencave me tetanoz. Disa foto te kembes se fashuar. Meqe kemi dhe nje kryetare te re ne bashkine tone shpresoj qe largimi i qenve te jete nje prioritet i saj dhe jo te shesi "pordhe" sesi i fitoi zgjedhjet me 12% te votave nga gjithe qyteti
