Humb jetën 48-vjeçarja në Korçë, djali akuzon mjekët: Si e nxorrën nga spitali në atë gjendje?

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 16.11.2025, 14:38

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen nr.15 të qytetit të Korçës, ku një grua 48-vjeçare ka humbur jetën dy ditë pasi kishte shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe ishte paraqitur në urgjencë për të marrë mjekime.

Të premten, familjarët e Gentiana Nano e dërguan atë në spitalin e Korçës pasi kishte shfaqur probleme me frymëmarrjen. Pasi ka marrë mjekim në urgjencë, gruaja është nxjerrë nga spitali dhe është dërguar përsëri në shtëpi.

Ditën e djeshme, të shtunën 15 nëntor 2025, Gentiana nuk është ndjerë përsëri mirë, dhe familjarët kanë njoftuar ambulancën. Sipas djalit të saj, Erdiol Nano, mjekët i dhanë nënës së tij mjekim për rrahje të shpeshta zemre dhe tension të ulët.

Mëngjesin e sotëm, 48-vjeçarja është gjetur pa shenja jete nga i biri në banesë!

Në një intervistë për mediat, Erdiol Nano hodhi akuza ndaj mjekëve të spitalit të Korçës, duke i akuzuar këta të fundit për neglizhencë në trajtimin shëndetësor ndaj nënës së tij.

"Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. Nuk ishte mirë dhe tha do të shkojmë në spital. E çuam, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihet mirë por doktorët s'na thanë asgjë dhe e nxorën. Si mundet të lesh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë?

Ditën tjetër përsëri tha që s'jam mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë që e ka tensionin e ulët, rrahjet e zemrës të larta dhe i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës mami ankohej sërish që nuk ishte mirë. Sot në mëngjes u ngrit, mori për të ngrenë dhe ishte në dhomën e saj. Gjyshi më tha hajde foli mamit se s’po na përgjigjet. U ngrita dhe shkova atje, e pashë të shtrirë, e kuptova që kishte ndërruar jetë.

Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund ti ndodhë dikujt tjetër."

Policia e Korçës po merr deklarimet e familjarëve për rastin ndërsa pritet që të merren në pyetje edhe stafi mjekësor që kanë qenë në shërbim përgjatë këtyre dy ditëve. Nga ana tjetër, trupi i 48-vjeçares do ti nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Shkrimi u mor nga TVA News!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit