Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika janë arrestuar si autorë të vendosjes së tritolit në restorantin Perla e Detit në Kamëz, në pronësi të Klodjan Muratit dhe Benard Elezit, kunetër.
Ish-oficeri i forcave operacionale, Jeton Lami, i cili ishte liruar më 24 nëntor 2023 pas një dënimi për shpërdorim detyre, është personi i fundit që ka takuar Ervis Martinajn para zhdukjes së tij në gusht 2022. Lami ka mohuar çdo lidhje të ngushtë me Martinajn, duke deklaruar se e ka shoqëruar atë për në Durrës vetëm pas një takimi rastësor.
Hetuesit kanë dokumentuar lëvizjet e Martinajt në Durrës përmes kamerave të sigurisë, ku Lami e ka shoqëruar në një hotel në praninë e një vajze të paidentifikuar. Sipas dëshmive, më 7 gusht 2022 është regjistruar imazhi i fundit i Martinajt në qytetin e Durrësit dhe Tiranës, ndërsa më 10 gusht xhaxhai i tij ka denoncuar humbjen e kontakteve me të.
Ndërkohë, për ngjarjen e Kamzës është shpallur në kërkim Ervis Lami, 31-vjeç, i cili ka rekorde kriminale dhe ishte shpallur në kërkim që nga janari i këtij viti pas gjetjes së një automatiku në banesë gjatë kontrolleve për vrasjen e Lulzim Vishës. Autoritetet vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe lidhjeve kriminale të përfshira.