Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, të dyshuar si autorë të shpërthimit me lëndë plasëse të ndodhur një ditë më parë në restorantin “Perla e Detit”, në zonën e Kamzës.
Të arrestuarit janë Jeton Lami, 31 vjeç, Florin Domi, 30 vjeç dhe Flogert Mezhika, 34 vjeç, të gjithë banues në Kamëz. Ndërsa në kërkim është Ervis Lami, i cili rezulton po ashtu person në kërkim edhe për vrasjen e postierit Lulzim Visha në fillim të këtij viti.
Jeton Lami, ish-oficer i Forcave Operacionale, i liruar nga burgu në shtator 2023 pasi u dënua për “shpërdorim detyre”, dyshohet se ka shoqëruar personin e shumëkërkuar Ervis Martinaj në Durrës pak para zhdukjes së tij.
Sipas hetimeve paraprake, motivi i vendosjes së eksplozivit dyshohet të jetë një gjobë prej 500 mijë eurosh, të cilën autorët ia kishin kërkuar pronarit të godinës, Saimir Sinës, i cili kishte refuzuar të paguante. Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale, pa persona të lënduar.
Godina e restorantit është në pronësi të Saimir Sinës, por ishte marrë me qira nga kunetërit Klodjan Murati dhe Benard Elezi, të cilët deklaruan se nuk kanë konflikte me askënd. Megjithatë, burime nga grupi hetimor dyshojnë se edhe dy qiramarrësit mund të kenë qenë të përfshirë në skemën e gjobëvënies, dhe se mes tyre mund të ketë pasur përplasje të brendshme që kanë çuar në vendosjen e tritolit si formë presioni.
Sipas hetuesve, Jeton Lami dhe bashkëpunëtorët e tij e kishin paralajmëruar Saimir Sinën se nëse nuk largonte dy kunetërit nga lokali, do t’i kërkohej pagesa e gjobës prej 500 mijë eurosh.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa policia është në kërkim të Ervis Lamit.