Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka dërguar në gjyq shtetasin H.Gj. për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, pas përfundimit të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më 1 shkurt 2025. Konflikti ka nisur për motive banale gjatë një debati familjar, ku H.Gj. ka përdorur një mjet prerës dhe ka plagosur rëndë djalin e tij, A.Gj., duke i shkaktuar vdekjen.
Hetimet tregojnë se gjatë ngjarjes, H.Gj. është acaruar pas një sherri mes djalit dhe vajzës së tij, dhe në një moment ka kapur thikën e bukës dhe e ka goditur djalin një herë në ijë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Autopsia konfirmoi një plagë prerëse shpuese në anën e majtë të gjoksit, dëmtime në mushkëri dhe zemër, si dhe plagë në duar, si pasojë e përpjekjes së viktimës për t’u mbrojtur.
Shkaku i vdekjes është konfirmuar si shok traumatik hemoragjik. Nga hetimi rezultoi se H.Gj. ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” sipas nenit 79/c të Kodit Penal, ndërsa çështja do të procedohet më tej në gjykatë.