“Edi Rama ‘fener ndriçues’ i Sorosizmit”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.11.2025, 09:20

Në Bullgari, shumica parlamentare ka miratuar krijimin e një komisioni ad-hoc për të hetuar aktivitetet e George Soros dhe Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur. Komisioni do të shqyrtojë individët dhe organizatat që kanë përfituar financime nga OSF. Ai pritet të shërbejë kryesisht si instrument politik dhe propagandistik, pasi aktualisht nuk parashikohen pasoja ligjore.

Nismëtar i komisionit është oligarku i njohur Delian Peevski, i cili prej dy dekadash shoqërohet me skandale politike e mediatike. SHBA-ja dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar atë për korrupsion, por ai vijon të mbajë ndikim të madh në politikën vendase. Në debatet parlamentare Peevski deklaroi se “bota e rreme e Sorosit duhet të shkatërrohet”.

Modeli i damkimit publik ndaj Sorosit nuk është i ri dhe buron nga fushatat e qeverisë së Viktor Orbanit në Hungari. Atje, prej vitit 2013 janë publikuar lista me organizata dhe individë të financuar nga OSF. Fushatat u shoqëruan me akuza ekstremiste dhe një retorikë të theksuar antisemitiste.

Pas Hungarisë, narrativat anti-Soros u përhapën shpejt në Maqedoninë e Veriut, ku nacionalistët e djathtë i përdorën për të delegjitimuar protestat kundër korrupsionit. Lëvizja “Stop-Operacionin-Soros” luajti rol kyç në etiketimin e aktivistëve si të manipuluar nga aktorë të huaj. Kjo retorikë u përdor për të mbrojtur figurat politike të përfshira në skandale.

Në Poloni, partia konservatore PiS e ndërtoi fushatën e saj politike mbi akuzat se rrjeti i Sorosit destabilizonte vendin. Organizatat civile u paraqitën si “të komanduar nga jashtë”. Edhe presidenti i zgjedhur në vitin 2025, Karol Navrocki, e përdori këtë narrativë kundër kundërshtarëve të tij politikë.

Serbia dhe Sllovakia ndoqën të njëjtën qasje, duke akuzuar OSF-në për ndikim në protesta dhe çështje politike të brendshme. Në Serbi, mediat pranë pushtetit kanë publikuar tituj alarmistë që e paraqesin Sorosin si nxitës të destabilizimit në Ballkan. Ndërsa në Sllovaki, qeveria miratoi një ligj për “raportet e transparencës”, duke argumentuar se organizatat duhet të deklarojnë qartë burimet e tyre të financimit.

Shqipëria përbën rast të veçantë, pasi narrativën anti-Soros e përdor vetëm opozita dhe jo qeveria. Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se ka lidhje të ngushta me rrjetin Soros dhe se ka përdorur këtë aleancë për të forcuar pushtetin. Sipas opozitës, prej vitit 2013 ekziston një plan i fshehtë për ndikim afatgjatë në sistemin drejtësor dhe politik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit