Projektbuxheti 2026 parashikon të ardhura prej 823.7 miliardë lekësh, me një rritje prej 53 miliardë lekësh ose 7% krahasuar me vitin 2025, ndërsa shpenzimet totale arrijnë në 886.8 miliardë lekë. Pjesën më të madhe të të ardhurave e gjenerojnë punonjësit dhe konsumatorët, përmes rritjes së pagave dhe konsumit, ndërsa bizneset kontribuojnë në masë më të kufizuar. TVSH-ja mbetet zëri kryesor me 242.5 miliardë lekë, ndërsa kontributet e sigurimeve shkojnë në 196.9 miliardë lekë, me rritje 11.4%.
Në krahun e shpenzimeve, pagat, pensionet dhe mbrojtja sociale përbëjnë më shumë se gjysmën e buxhetit, duke arritur në 204.1 miliardë lekë vetëm për mbrojtjen sociale dhe në 140.1 miliardë lekë për pagat e administratës. Investimet kapitale mbahen në nivelin 6.5% të PBB-së, me rreth 1.8 miliardë euro të dedikuara për projekte infrastrukturore, ndonëse FMN thekson rendiment të ulët të investimeve publike. Shpenzimet për interesa borxhi janë 64.2 miliardë lekë, ndërsa ato operative arrijnë 81 miliardë lekë.
Arsimi dhe shëndetësia mbeten dy sektorët më të nënfinancuar. Arsimi merr vetëm 64 miliardë lekë, rreth 7.3% të buxhetit total dhe nën 3% të PBB-së, shumë larg objektivit të vendosur prej 4.5% deri në vitin 2030. Shëndetësia financohet me 82.3 miliardë lekë, një rritje modeste prej 2.8%, ku pjesa më e madhe shkon për paga dhe shpenzime operative, ndërsa fondi i barnave rimbursuese arrin 13.5 miliardë lekë, duke mbuluar vetëm pjesërisht nevojat e pacientëve me sëmundje kronike.