Bullizmi kibernetik në Shqipëri: 1 në 5 të rinj në Tiranë i prekur

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 15.11.2025, 23:47

Një studim i kryer nga Departamenti i Gazetarisë, zbulon se rreth 1 në 5 të rinj në Tiranë ka përjetuar bullizëm në internet, i njohur edhe si cyberbullizëm.

Sipas të dhënave të anketimit, i cili përfshiu 10 qytete të vendit, viktimat e bullizmit në rrjetet sociale raportojnë se, ndryshe nga bullizmi tradicional që kryhet nga njerëz të njohur, në internet shpesh janë profile anonime ose persona të panjohur ata që fyejnë, kërcënojnë ose ushtrojnë presion.

Sipas të dhënave të siguruara nga fakulteti rezulton se 75% e të rinjve janë shumë të ndjeshëm ndaj cyberbullizmit. Shumë prej tyre ndihen të vetëm dhe të pambrojtur, sepse nuk ndajnë shqetësimet me psikologët, mësuesit apo edhe me familjet, të cilat shpesh nuk përpiqen ta kuptojnë problemin.

Nga anketimi rezulton se 17-18% e të rinjve kanë përjetuar cyberbullizëm, ndërsa 80-90% e tyre kanë raportuar pasoja fizike dhe psikologjike. Megjithatë, sipas profesorëve shkolla shpesh nuk ndërhyn për të parandaluar këtë fenomen.

Studimi tregon gjithashtu se komunikimi virtual ka shkrirë barriera gjeografike dhe nuk tregon dallime gjinore, me përdorim të ngjashëm të rrjeteve sociale si nga vajzat, ashtu edhe nga djemtë, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale. Megjithatë, të rinjtë në zonat rurale janë më të ndjeshëm ndaj fyerjeve.

Sipas të dhënave, TikTok rezulton të jetë rrjeti më problematik, ndërkohë që është edhe platforma më e ndjekur nga të rinjtë.

Profesorët theksuan se përparimi i shpejtë teknologjik ka lënë shqiptarët të papërgatitur për përdorimin e sigurt të internetit. Ata nënvizojnë nevojën urgjente për ndërgjegjësim, edukim dhe parandalim, jo vetëm tek të rinjtë, por edhe tek të rriturit. Individët shpesh mbeten prapa zhvillimeve teknologjike, duke u ekspozuar ndaj rreziqeve të reja në internet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit