Një video shqetësuese ka mbërritur mbrëmjen e sotme në redaksinë e JOQ Albania, ku shfaqen disa simbole satanike të vizatuara në një godinë pranë Liqenit Artificial në Tiranë.
Në mure duken qartë një kryq i përmbysur, ylli pesëcepësh (pentagrami), disa shenja të ngjashme me sirgilet (simbole të përdorura në praktika okulte, shpesh të lidhura me magjinë e zezë ose rituale të ndryshme ezoterike), si dhe mbishkrimi “Hail Satanas”, duke krijuar panik tek qytetarët që kanë kaluar aty.
Sipas qytetarit që ka dërguar videon, rreth orës 18:30 ai ka parë dy persona të futen në godinë dhe, pak minuta më pas, kanë dalë duke lënë pas këto vizatime të frikshme. Pamjet tregojnë se shenjat janë bërë me ngjyra të forta dhe duken të realizuara në mënyrë të qëllimshme, me synim të qartë për të tërhequr vëmendjen dhe krijuar shqetësim tek kalimtarët.
Qytetari shkruan: “Përshëndetje JOQ! Po kaloja tek Liqeni dhe pashë 2 persona që adhuronin Satanin dhe shikoni si e kanë lënë vendin. Ku t’i shikoni këta persona që bëjnë këto shenja, largohuni dhe mos i frekuentoni njerëz të tillë! Në Liqenin Artificial sonte në orën 6 e 30.”
Ngjarja ka ngritur shqetësim për sigurinë në zonën e Liqenit Artificial, një nga hapësirat më të frekuentuara nga qytetarë, familje dhe fëmijë. Vizatime të tilla me natyrë satanike përbëjnë akt vandalizmi dhe krijojnë ndjenjë pasigurie, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për identifikimin e autorëve dhe parandalimin e rasteve të ngjashme, si dhe pastrimin e godinës për të rikthyer normalitetin në zonë.