Kosova i bashkohet Shqipërisë, “Dardanët” mposhtin Slloveninë në transfertë dhe sigurojnë Play-Off e Botërorit 2026

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.11.2025, 22:57

Kosova ka arritur një fitore të madhe në transfertë, duke mundur 0-2 Slloveninë në Ljubljanë dhe duke siguruar zyrtarisht vendin në play off-in e Kupës së Botës 2026. “Dardanët” e trajnerit Franco Foda ngjiten në vendin e dytë të Grupit B, vetëm tre pikë pas Zvicrës, e cila ruan kreun falë golavarazhit më të mirë.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për Kosovën, e cila gjeti golin pas vetëm gjashtë minutash me Fisnik Asllanin. Sulmuesi u shërbye nga Vojvoda dhe me një goditje të saktë mposhti portierin Jan Oblak, duke i dhënë epërsinë ekipit të tij.

Kosova prodhoi disa raste të tjera të pastra në pjesën e parë, por pa mundur të dyfishonte rezultatin. Në fillimin e fraksionit të dytë, Sllovenia mbeti me një lojtar më pak, pasi Petar Stojanovic u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas dueleve të njëpasnjëshme me Gallapenin.

Me epërsinë numerike, “Dardanët” kontrolluan plotësisht lojën dhe në minutën e 64-t vjen edhe goli i qetësisë: një autogol i Karniçnik, pas presionit të Florent Muslijës, vulosi triumfin e Kosovës.

Me këtë rezultat, Kosova siguron vendin e dytë në grup dhe një biletë të merituar për play off-in e Botërorit. Të martën, në Prishtinë, ata do të presin Zvicrën për ndeshjen e fundit kualifikuese, por pa ndryshuar renditjen në krye, pasi helvetët mbeten të avantazhuar nga golavarazhi.

Kundërshtarët e Kosovës në fazën play off do të përcaktohen javën e ardhshme gjatë hedhjes së shortit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit