Kompania me kapital vetëm 1 mijë lekë merr leje për kullë 22-katëshe në Laprakë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15.11.2025, 20:59

Një kompani e re, “Hein – Invest” sh.p.k, themeluar në fund të vitit 2022 me kapital vetëm 1 mijë lekë, ka marrë leje për të ndërtuar një godinë rezidenciale dhe shërbimesh me 22 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë në zonën e Laprakës, në rrugën “Gjergj Legisi”.

Shoqëria, me ortake dhe administrator Ariola Hysa, nuk ka pasur më parë asnjë aktivitet biznesi dhe nuk zotëron kompani të tjera. Megjithatë, leja e ndërtimit është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, duke hapur dyshime mbi mënyrën se si një kompani kaq e re dhe me kapital simbolik ka mundur të sigurojë një projekt me vlerë miliona euro.

Pasqyrat financiare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë detyrime dhe kapital total në rreth 19 miliardë lekë, një diferencë e madhe nga kapitali fillestar i deklaruar. Ky fakt ngre pyetje mbi burimin e fondeve që do të përdoren për realizimin e ndërtimit.

Ekspertët dhe autoritetet e zbatimit të ligjit kanë paralajmëruar më parë për raste të kompanive të reja që krijohen brenda disa muajsh, që nuk kanë aktivitet të mëparshëm, por që lëshojnë fatura dhe dokumente financiare të papajtueshme për të marrë leje për projekte të mëdha publike.

Projektuesit e “Hein – Invest” pritet të fillojnë ndërtimin së shpejti, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të realizohet praktika e projektit dhe kush qëndron pas kompanisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit