60 ha tokë të falura dhe udhëtim në Romë, dyshime për favorizime në Sarandë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15.11.2025, 20:28

Në Bashkinë e Sarandës po shtohen dyshimet mbi një seri vendimmarrjesh të kontestuara, që përfshijnë faljen e rreth 60 hektarëve tokë publike dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Bashkiak me një udhëtim turistik në Romë.

Sipas dokumenteve zyrtare, kryetari i Bashkisë, Oltion Çaçi, dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Asaf Stroka, dyshohet se kanë përdorur mbështetjen e këshilltarëve bashkiakë për të aprovuar dokumente të cilat i kaluan sipërfaqe të mëdha toke dy kompanive private në fshatin Nivicë, me argumentin e ndërtimit të një parku fotovoltaik.

Paralelisht, dy zyrtarët rezultojnë të kenë marrë vendime të tjera që prekin pasuri publike strategjike, si pronat në Qafë Gjashtë, zonën e Kalanë së Lëkursit dhe territore të tjera deri në Ksamil, duke favorizuar sipas dokumenteve individë e kompani me lidhje të forta politike.

Ndërkohë, Bashkia e Sarandës ka hapur një tender me objekt “shpenzime udhëtimi dhe akomodimi për Këshillin Bashkiak, Romë”. Tenderi parashikon: Udhëtim Sarandë–Tiranë më 4 dhjetor, kthimi më 6 dhjetor, fluturim Tiranë–Romë për 20 persona dhe akomodim për 2 netë në qendër të Romës, në 10 dhoma dyshe.

Vlera e tij shkon deri në 10 mijë euro, ndërsa procedura është firmosur nga nënkryetari i bashkisë, Florjan Sali, pasi kryebashkiaku ia ka deleguar nënshkrimin. Ky udhëtim vjen vetëm pak muaj pas protestave të banorëve të Nivicës, të cilët kundërshtuan kalimin e tokave të tyre për ndërtimin e parkut fotovoltaik.

Raportimet flasin për presione ndaj disa këshilltarëve të cilët nuk ishin dakord me vendimet. Njëra prej tyre u largua me arsyetimin se ishte “edukatore”, ndërsa të tjerë kanë votuar rregullisht të gjitha propozimet. Në disa raste, këshilltarët dyshohet se janë shpërblyer me leje ndërtimi ose forma të tjera favorizimi.

Firma që ka përfituar 60 hektarët dyshohet se ka si aksionerë dy biznesmenë të lidhur me projekte të mëdha publike, njëri i përfshirë në ndërtime në bregdet dhe tjetri në parqe fotovoltaike në jug të vendit.

Në Bashkinë e Sarandës janë ngritur gjithashtu akuza për një rrjet të gjerë punësimesh nepotike. Drejtorë dhe zyrtarë të rëndësishëm rezultojnë të kenë të punësuar brenda institucionit kushërinj, mbesa, dhëndurë, bashkëshortë dhe persona të tjerë me lidhje të drejtpërdrejta familjare me drejtuesit më të lartë të bashkisë.

Çështja mbetet e hapur dhe kërkon hetim të plotë, pasi vendimet e ndërmarra prekin prona të mëdha publike, interesa komunitare dhe integritetin institucional të një prej bashkive më të rëndësishme turistike të vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit