Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) ka publikuar rezultatet përfundimtare të testimeve të vitit 2025, ku Shqipëria është renditur në vendin e 69-të nga 80 vende pjesëmarrëse. Testimet, të cilat u zhvilluan me nxënës 15-vjeçarë, vlerësuan performancën e tyre në tre fusha kryesore: gjuhë & letërsi, matematikë dhe shkencë.
Rezultatet e dobëta kanë rikthyer edhe një herë vëmendjen te problemet e thella që po përjeton sistemi arsimor shqiptar. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 60% e të rinjve shqiptarë konsiderohen analfabetë funksionalë, veçanërisht në lëndët e shkencave ekzakte — një përqindje gati trefish më e lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian dhe dyfish më e lartë krahasuar me Serbinë.
Studiues të fushës kanë theksuar se performanca e nxënësve në testime ka qenë “shqetësuese”, ndërsa kanë raportuar raste të shumta ku nxënësit kanë dorëzuar fletët e provimit pothuajse bosh. Sipas tyre, këto rezultate janë tregues i drejtpërdrejtë i mangësive të vazhdueshme në cilësinë e mësimdhënies, mungesës së teksteve të përditësuara dhe përgatitjes së pamjaftueshme të mësuesve.
PISA ka renditur Shqipërinë ndër vendet e fundit pothuajse çdo vit pjesëmarrjeje, duke bërë që standardet arsimore në vend të konsiderohen larg niveleve të pranuara ndërkombëtarisht. Rezultatet e këtij viti pritet të nxisin diskutime të reja mbi reformimin urgjent të sistemit arsimor dhe rritjen e investimeve për të përmirësuar cilësinë e të nxënit.