“Edi Rama mori në mbrojtje publikisht kreun e klanit që pastronte paratë e Kartelit të Sinaloas”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 15.11.2025, 15:30

Gazeta spanjolle El País i ka kushtuar një artikull të zgjeruar biznesmenit shqiptar Luftar Hysa, i cili së bashku me familjen e tij është sanksionuar këtë javë nga Departamenti i Thesarit të SHBA-së. Artikulli thekson se pjesa më e madhe e kazinove dhe kompanive të goditura me sanksione i përkasin familjes Hysa, të akuzuar nga autoritetet amerikane për pastrim të dyshuar parash për Kartelin e Sinaloas. Në shkrim përmendet edhe fakti që në vitin 2022 Kryeministri Edi Rama e mori publikisht në mbrojtje Hysën, pasi në atë kohë u publikuan foto të tij duke dalë nga zyra e kreut të qeverisë në Tiranë.

Sipas të dhënave të përfshira në El País, autoritetet amerikane dhe meksikane pretendojnë se familja Hysa ka përdorur një rrjet prej kazinosh, kompanish dhe transaksionesh ndërkombëtare për të lëvizur miliona dollarë midis Meksikës, SHBA-së, Europës dhe Shqipërisë. Në artikull përshkruhen akuzat se Hysa ka bashkëpunuar me një qytetar amerikan për transportimin e sasive të mëdha të parave në dorë dhe ka përdorur kompani europiane për të shpërndarë fondet e dyshuara. Vetë Hysa, i cili jeton mes Meksikës dhe Kanadasë, ka mohuar çdo lidhje me krimin e organizuar dhe ka dhënë më herët një konferencë shtypi duke shpjeguar historikun e ardhjes së tij në Meksikë.

Artikulli përmend gjithashtu se autoritetet kanadeze po e hetojnë Hysën për aktivitete të mundshme të pastrimit të parave në një kazino në Kahnawake, ndërsa sipas ‘La Presse’, ai dyshohet se ka administruar mbi 30 biznese në disa shtete. Dokumente të autoriteteve financiare kanadeze, të cituara nga El País, pretendojnë se ai ka marrë qindra transferta milionëshe nga Meksika dhe ka shpërndarë rreth 28 milionë dollarë në llogari bankare në disa vende brenda më pak se një viti. Në të gjitha rastet, Hysa ka këmbëngulur në pafajësinë e tij dhe ka deklaruar se aktivitetet e tij janë të ligjshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit