Lara Colturi festoi në mënyrën më të bukur të mundshme 19-vjetorin e saj: me një super paraqitje në Kupën e Botës. Skiatorja italiane që garon për ngjyrat kuqezi shkëlqeu në pistën e Levi-t në Finlandë, duke zënë vendin e dytë në Slalomin e vajzave.
Edhe në zbritjen e dytë, Lara u tregua fantastike, duke regjistruar kohën 53.42 sekonda, rezultati i tretë i asaj manche, pas ikonës Mikaela Shiffrin dhe Paula Moltzan. Në total, me 1:50.58 minuta, ajo siguroi një podium të merituar, vetëm 1.66 sekonda pas Shiffrin, e cila i shtoi edhe një tjetër trofe koleksionit të saj dhe tani numëron plot 104 fitore.
Me këtë vend të dytë, Colturi grumbulloi 80 pikë të rëndësishme, duke e çuar totalin e saj në 116 pas dy garave të para të sezonit. Aktualisht, ajo mban vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, pas Shiffrin dhe Moltzan – një nisje sezoni fantastike për 19-vjeçaren kuqezi.