Dy ministra në një ministri: Firmat e Denajt vazhdojnë, Salla inekzistent

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.11.2025, 12:49

Një skandal është zbuluar në Ministrinë e Bujqësisë, ku pavarësisht shkarkimit të Anila Denaj nga posti i ministres dy muaj më parë, emri dhe firma e saj vazhdojnë të shfaqen në aktet zyrtare të qeverisë. Ndërkohë, ministri i ri Andis Salla rezulton i padukshëm për Zyrën e Protokollit.

Fletoren Zyrtare të datës 12 nëntor 2025 është publikuar Urdhri Nr. 1120, datë 3 nëntor 2025, që lidhet me menaxhimin e peshkimit në Zonën e Kufizuar të Peshkimit në Kanalin e Otrantos. Dokumenti mban firmën e Anila Denaj, me titullin zyrtar “Ministre e Bujqësisë”.

Por në realitet, Denaj nuk është më në atë post prej 15 shtatorit 2025, datë kur u largua zyrtarisht nga detyra. Që prej asaj kohe, ministri i ri Andis Salla është emëruar, dekretuar dhe prezantuar publikisht si kreu i Ministrisë së Bujqësisë.

Megjithatë, sipas të dhënave nga Zyra e Protokollit të Ministrisë së Bujqësisë, struktura që përgatit dhe përcjell për miratim aktet që kalojnë në Këshillin e Ministrave dhe në Fletoren Zyrtare, figuron ende Anila Denaj si ministre, ndërsa emri i Sallës nuk është futur në qarkullimin administrativ.

Kjo situatë ka krijuar një përplasje të qartë institucionale brenda ministrisë, me pasoja të mundshme për vlefshmërinë ligjore të akteve të firmosura nga një zyrtare që nuk e mban më funksionin. Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për një neglizhencë administrative, një vonesë në procedurat e brendshme apo një konflikt më të thellë menaxherial.

Në një kohë kur në parlament akuzat për “broçkulla” bëhen sa për efekt retorik, duket se çuditë më të mëdha po ndodhin pikërisht brenda institucioneve të qeverisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit