Vdekja tragjike e Daorsa Spahijës, 24-vjeçares nga Gjakova, e cila humbi jetën më 5 nëntor pasi ra nga një ndërtesë në Tetovë, ka ngritur dyshime serioze për rrethana të dyshimta.
Miku i saj, Arbër Zhubi, ka deklaruar për mediat se beson se Daorsa nuk ka rënë aksidentalisht dhe as nuk ka kryer vetëvrasje, por është shtyrë nga partneri i saj, Hevzi Sejdiu, 31 vjeç. Sipas Zhubit, Sejdiu, i cili dyshohet se ishte personi i fundit që e pa vajzën gjallë, fillimisht e konfirmoi vdekjen dhe më pas, siç pretendon ai, u përpoq të paraqiste ngjarjen si vetëvrasje.
“Personi, pasi e ka shtyrë vajzën rreth orës 16:15, ka zbritur poshtë dhe ka konfirmuar vdekjen e shoqes sonë, Daorsës. Më pas, në zonë ka disa kamera sigurie, rreth pesë ose gjashtë, që mbulojnë hyrjet e apartamenteve dhe garazheve,” u shpreh Zhubi për mediat.
Ai pretendoj gjithashtu se Sejdiu ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, gjë që Daorsa nuk e kishte ditur gjatë marrëdhënies dy vjeçare me të. Sipas tij, Sejdiu ka pasur edhe precedentë penalë për trafik armësh dhe ishte liruar nga burgu vetëm disa muaj më parë.
Zhubi tha se Daorsa ishte nën një presion të madh emocional për shkak të situatës së krijuar, por nuk kishte arritur të kërkonte ndihmë. Vajza e ish-ushtarit të UÇK-së Arbër Spahija, u përcoll për në banesën e fundit më 7 nëntor në Gjakovë.